Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar për masakrën e Velipojës, ku mbetën të vrarë katër persona për ndarjen e shelzongeve në zonën e plazhit.
Lleshaj u shpreh në emisionin “Breaking” në Top News se fatkeqësisht ngjarje të tilla vazhdojnë të trondisin opinionin publik dhe për këtë kanë faj edhe institucionet.
Sipas ish-ministrit ka një ngërç në menaxhimin e pronave publike, veçanarisht të bregdetit.
“Më vjen keq që ngjarje të tilla vazhdojnë të trondisin opinionin publik. Kemi një raport të padrejtë në raport me pasuritë publike. Vija bregdetare është vetëm njëra prej tyre. Në vend që të gjenerojë pasuri publike, ajo gjeneron pasuri dhe përfitime për privatin. Fakti që konflikti privat zhvillohet mbi pasuritë publike, flet vetë. Nuk duhet të lihet bregdeti privatit, mund ta shfrytëzojnë për të punësuar, jo për të gjeneruar para për vete. Rasti i fundit është vetëm një episod.
Tarifat janë qesharake. Është thjesht toke e falur që i jepet privatit. Ka ardhur koha të mendohet seriozisht. Pasuria publike nuk jepet për interes privat, ata mund ta përdorin për të punësuar njerëzit. Çmimet e çadrave dhe shezlongeve duhet të përcakohen nga bashkitë”, tha Lleshaj.
Ish-ministri deklaroi se bregdeti jepet me tarifa qesharake, ndërsa bizneset gjenerojnë shuma të mëdha. Derisa kjo të zgjidhet, Lleshaj u shpreh se konflikti është i programuar.
“Për sa kohë e lëmë këtë hapësirë në dorë të vendimmarrjes private, pa procedura të hapura, kundrejt tarifave qesharake, e kemi programuar që në fillim konfliktin.
Nuk mund të jepet një hapësirë për 3 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që ai i merr për një çadër për një ditë”, deklaroi Lleshaj.
Ndryshe nga ministri Çuçi, Lleshaj tha se edhe policia ka përgjegjësinë e saj, pavarësisht se kapacitetet e saj janë të vogla.
“Policia ka përgjegjësi të jashtëzakonshme të menaxhojë një fluks kaq të madh. Kapacitet e policisë mbeten po ato. Nuk dua ta shfajësoj policinë. Policia duhet të punojë në mënyrë intiligjente. As pushteti vendor nuk mund të “lajë duart” nga kjo situatë.
Duhet të shkojmë tek thelbi i gjësë, të heqim interesin e madh ndaj pasurisë publike”, tha Lleshaj.