Nga Endri Hasa
Akuza, trillime, diversione, presione, shantazh, paralajmërime, kërcënime, intimidime, fyerje janë shumatorja e sjelljeve dhe retorikës së Sali Berishës në lëvizjen që nisi për të “demokratizuar partinë” por që po mbjell vetëm frymën e përçarjes.
Nga mbrëmja e 9 shtatorit sytë dhe veshët e demokratëve kanë parë dhe dëgjuar shumë. Disa janë impresionuar, të tjerë që e njohin thellē këtë parti e dinë mirë se asgjë parimore nuk ka në këtë histori.
Sot ka vetëm betejë personale për të uzurpuar një parti dhe për ta përdoruar atë si mburojë, pa u shqetësuar nëse kjo do ta bunkerizonte forcën që partneritetin me SHBA e ka të padiskutueshëm.
Lulzim Basha i ka kërkuar në këto dy muaj më shumë se kushdo tjetër Sali Berishës vetëpërmbajte! Jo për veten. Por për demokratët.
Demokratët i kanë dhënë Berishës gjithçka dhe nuk i kanë asnjë borxh.
Lëndimi i tij nuk mund të kthehet në urrejtje për këdo që mendon ndryshe nga ai. Dje të gjithë ne dhe ata që Berisha i anatemon sot në “Foltoret” e tij si të paligjshëm dhe të pamoralshëm, ishim të duhurit, ishin në të njëjtën krah, në të njëjtën betejë dhe me të njëjtin kundërshtar.
Por përtej gjithçkaje. Një demokrat i vërtetë nuk urren dhe nuk fyen!
Një demokrat rrugën drejt fitores e ka më të rëndësishme se gjithçka!
Ata që sot mbjellin urrejtje dhe përçarje nuk janë kurrsesi Demokratë.