Partia më e madhe qeverisëse në Gjermani, CDU-CSU, në një njoftim zyrtar ka sqaruar vendimet e marra një ditë më parë bashkë me SPD-në, aleatin e majtë të madh në qeverisje. Mes vendimeve është edhe ai për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe miratimin e 9 kushteve me qëllim që më pas të hapen negociatat edhe për Shqipërinë.
Për Maqedoninë e Veriut thuhet se do nisin negociatat, por për Shqipërinë thuhet se janë vendosur kushte të forta.
‘Ne kemi rekomanduar hapjen e bisedimeve të pranimit me Republikën e Shqipërisë.
Sidoqoftë, ne kërkojmë kritere shumë më të rrepta se me Maqedoninë e Veriut: funksionimi dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë duhet të rivendoset dhe duhet miratuar vendimi për reformën zgjedhore.
Deri në hapjen e vërtetë të kapitujve, duhen përmbushur kushte të tjera, siç është fillimi i procedurave kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.
Prandaj në negociata, kapitujt që do hapen të parët dhe të mbyllen së fundmi do lidhen me sundimin e ligjit dhe drejtësinë,’ thuhet në njoftim.