Edhe 30 ditë të tjera. Kjo është koha që ka marrë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për të vendosur fatin e Lojrave Olimpike 2020, në program për t’u zhvilluar në Tokio nga 24 korriku deri më 9 gusht, por që janë të kërcënuara nga Coronavirus. Për momentin nuk merret në konsideratë anulimi i kompeticionit, maksimumi mendohet për një shtyrje.
Tre janë opsionet në tavolinën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar: zhvillimi i Lojrave në fund të gushtit deri në shtator, nisja e tyre në tetor dhe shtyrja në vitin 2021 nëse jo edhe në vitin 2022. Dritarja e parë më e vlerësuar është zhvillimi i turneut më të rëndësishëm të sportit botëror nga 25 gushti në 6 shtator. Këto data ishin parashikuar për Lojrat Paraolimpike, që në këtë skënar do të shtyheshin. Opsioni i dytë ka edhe një precedent, që për ironi të fatit në vitin 1964 po në Tokio, Olimpiada u zhvillua në vjeshtë. Në këtë mënyrë, opsion mbeten datat 9 deri më 25 tetor megjithëse mediat spanjolle i kanë shtuar kuotat nëntorit.
Të gjitha këto janë hipoteza, pasi në këtë situatë alarmante është e pamundur të bësh parashikime afatgjata. Nëse përhapja e virusit Covid-19 nuk ndalet, ose të paktën të ngadalësohet dhe emërgjenca sanitare të shtyhej përtej verës, atëherë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar mund të vendosë të shtyjë Lojrat për në 2021, ose në 2022 për të ruajtur historikun e vitit çift. Zgjedhje të vështira, ndërsa për momentin asgjë nuk mund të përjashtohet.