BallinaKryesoreFan Noli dhuroi 20 thasë me miell për Enver Hoxhën

Fan Noli dhuroi 20 thasë me miell për Enver Hoxhën

Nga Kastriot Dervishi

Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e SHBA-së dërguan ndihma për bashkatdhetarët e tyre në Shqipëria. Çudia më e madhe është një rast i vitit 1947, kohë kur midis dy vendeve nuk kish marrëdhënie diplomatike. Më 17.7.1947 Ministria e Tregtisë njoftonte Shoqërinë Shqiptaro-Jugosllave “Import-export” në Tiranë se me avulloren “Radnik”, me flamur jugosllav ishte nisur nga Nju-Jorku në drejtim të Fiumes me 318 thasë miell nga privatë të ndryshëm me banim në SHBA për njerëzit e tyre në Shqipëri. Në bazë të njërës listë përkatëse, kjo sasi mielli duhej të tërhiqej në Fiume e të sillej në Shqipëri. Lista e dërguesve përbëhet nga 49 persona dhe një shoqatë (“Vatra”), me 228 thasë gjithsej.

Lista vijuese (për institucione) nuk ndodhet në dosje. Përgjithësisht shumica e dërguesve paraqiten me 1-3 thasë.

Përfitues më i madh është zona e Korçës (veçanërisht fshati Dardhë). Spikasin sipas numrit të thasëve: Pandi Laço për Thimi Laçon dhe Petro Dunkën në Dardhë me 4; Gaqi Lasti për 3 familje në Dardhë dhe Korçë me 6; Thoma Stefani (i misionit amerikan ushtarak gjatë luftës) për zonjën e Vaso Vrukës në Dardhë me 1, Ligor Galliani për 5 familje në Dardhë dhe Korçë me 5; Niko Kokalari për Qemal Kokalarin, hotel “Lirinë” Korçë, Hatixhe Kashaun, Azbi Kokalarin, gjithsej me 5 thashë.

Në fund të dërgesës spikasin 20 thasë të peshkop Fan Nolit (dërgesa e dytë më e madhe) dhe 198 thasë të shoqatës “Vatra” për Enver Hoxhën. Dërgesat kanë qenë personale, sepse në listën e dytë ishin për institucione. Fan Noli, me siguri ka kujtuar se Enver Hoxha ishte keq me të ngrënët apo se duhej të ishte një petullngrënës i madh. Po ashtu edhe “Vatra” ka pasur këtë shqetësim. Sipas shkresës së datës 11.8.1947 të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Niko Opari për Ministrinë e Tregtisë, mielli ishte i siguruar në një depo në Vlorë dhe ende nuk ishte tërhequr. Këtu flitej se ishin gjithsej 320 thasë me miell. Për shkarkimin e tyre nevojiteshin 1558 lekë. 55news.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular