Klodiana Çela, shqiptarja që tronditi Greqinë, pasi qëlloi me armë ish-partnerin e saj, pas problemeve për kujdestarinë e vajzës, ka refuzuar t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik.
Kujtojmë se pak ditë më parë, ajo qëlloi me armë, ish-partnerin e saj, një mjek grek 68-vjeçar, ndërsa ngjarja e rëndë u regjistrua në Chalandri në Greqi, para syve të vajzës 13-vjeçare.
Mediet greke kanë publikuar fjalët e Klodiana Çcelës nga qelia.
“E vërteta është një. Unë mbrojta jetën e fëmijës tim. Ai tha se do të qëllojë vajzën time dhe se fajin do ma linte mua. Vajza ime vrapoi në rrugë. Është e leverdisshme për të, që të më quajnë të sëmurë mendore. A e dini pse; Për të mos dëgjuar të vërtetën. Sepse e burgosur, unë i kam të gjitha të drejtat e mia ligjore dhe njerëzore. Ndërsa nëse do të shkoja në një spital psikiatrik nuk do t’i kisha”, pretendon artistja 49-vjeçare sipas reportazhit të transmetuar në televizionin ALPHA.
Çela këmbëngul se ajo mori armën për të mbrojtur të bijën 13-vjeçare, por nga ana tjetër, vajza ka mohuar dëshminë e nënës.
Pak orë më parë, shqiptarja kishte pohuar se “Nuk jam e pandershme, që shkova me një të martuar. Unë jam viktimë e përdhunimit”.
“Kurrë nuk doja që fëmija im ta dinte se ishte rezultat i përdhunimit. Arsyeja pse burri im i ligjshëm nuk më divorcoi kur i thashë se isha shtatzënë, ishte sepse unë ngela shtatzëne nga një përdhunim dhe jo se e tradhtova. Burri im nuk më divorcoi, sepse nuk e tradhtova. Unë u përdhunova”, ka deklaruar ajo./