BallinaOP EDFoltorja, anti-amerikane por edhe anti-myslimane

Foltorja, anti-amerikane por edhe anti-myslimane

Nga Vehap Kola

Pas tiparit anti-amerikan, tipari i dytë dominant i lëvizjes Berisha është ai anti-mysliman. Gjatë gjithë trajktores së zhvillimit të saj, kjo lëvizje ka prodhuar një ligjërim të ashpër anti-mysliman duke shenjestruar përkatësinë fetare dhe ritualet e njerëzve të caktuar në Partinë Demokratike apo zërave kritikë në media.
Myslimani që falet në xhami, që mban mjekër apo shami është sjellë në skenën e luftës së brendshme në PD si judi i mesjetës apo gjermanisë naziste. Mjaft të lexoni librin Moderniteti dhe Holokausti të autorit Zygmunt Bauman për të kuptuar se një mëtodë e tillë e arsyetimit dhe legjitimimit të urrejtjes patologjike ndaj një grupi të caktuar identitar është hiç më pak se prelude i përndjekjes së tyre fizike, shoqërore e juridike
Sali Berisha ka sulmuar në mënyrë periodike disa nga kritikët e tij dhe mbrojtësit e vendimit të Bashës për ta pezulluar nga grupi parlamentar duke u përmendur hollësi nga jeta e tyre fetare private. Njerëzit rreth tij kanë përdorur rregullisht termat vehabist, islamist, erdoganist, ekstremist apo vëllazëri myslimane për të sulmuar Partinë Demokratike, Lulzim Bashën dhe njerëz në krah të tij. Së fundmi, me një email djallëzor që u drejtohet shumë mediave dhe institucioneve në BE dhe ShBA, lëvizja Berisha njofton se në selinë e Partisë Demokratike kishte njerëz nga “vëllazëria myslimane” e Maqedonisë së Veriut.
Në radhë të parë, kjo është një akuzë copy & paste e agjendës serbe të propagandës kundër shqiptarëve dhe interesave kombëtare shqiptare në rajon. Serbët kanë shfrytëzuar përkatësinë fetare myslimane të shumicës së shqiptarëve për të na paraqitur si armiq të perëndimit, si terroristë islamikë të denjë për të na eksterminuar me genocide e deportim dhe si popull i dhunshëm e i pabesë. Në këtë mënyrë, ata janë përpjekur për të legjitimuar gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit që kanë bërë ndaj nesh vazhdimisht.
Në radhë të dytë, huazimi i këtyre tezave në luftën politike brenda një partie politike shqiptare është mbi të gjitha përpjekje për të dëmtuar në mënyrë të pakorrigjueshme reputacionin e partisë më të madhe të opozitës shqiptare në sferën ndërkombëtare. Kjo është një orvatje e dëshpëruar për ta sakatuar opozitën dhe për t’i garantuar Edi Ramës sundim të gjatë e të qetë për vitet e ardhshme. Teza e bashkëpunimit ndërmjet Ramës dhe Berishës bëhet, kësisoj, edhe më e besueshme.
Në radhë të tretë, myslimanët shqiptarë paraqiten nga lëvizja Berisha si një hambar potencialesh terroriste, ekstremiste e kriminale me burim përkatësinë e tyre fetare. Duke identifikuar Islamin si burim të prirjeve apo veprimeve kriminale, kjo lëfizje nxit urrejtje dhe radikalizon ndjekësit dhe mbështetësit e saj ndaj qytetarëve me përkatësi myslimane, veçanërisht ata që janë më të kujdesshëm më ritualin dhe normat islame të etikës. Kjo gjuhë duhet të shqetësojë këdo që është i interesuar për moscenimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërfetare mes shqiptarëve dhe ruajtjen e paqes sociale, qofshin ata politikanë, intelektualë apo zëra publikë.
Duke i përmendur myslimanët vetëm në togfjalësha kriminalizues, dhe natyrisht duke mos vlerësuar asnjë trashëgimi myslimane lëvizja Berisha është duke përforcuar lidhjet e perceptuara ndërmjet myslimanëve dhe terrorizmit. Në disa raste, vetë Berisha dhe figurat drejtuese të foltores e bëjnë këtë lidhje në mënyrë të drejtëpërdrejtë, veçanërisht me deklarimet e tyre të rreme se në selinë e Partisë Demokratike gjendeshin pjesëtarë të “Muslim Brotherhood” nga Maqedonia e Veriut.
Nëse Sali Berisha dhe lëvizja e tij janë të gatshëm të huazojnë teza anti-shqiptare për interesin e tyre vetjak, kjo është provë se foltorja ka rënë në dëshpërim dhe të vetmet opsione që kanë mbetur është të marrin me vete ç’të mundin. Por, sikur kjo të mos mjaftonte, të prekësh bashkëjetesën fetare dhe të stigmatizosh një pjesë të rëndësishme të popullsisë me një gjuhë kriminalizuese është një strategji e dënueshme që duhet të marrë refuzimin e të gjithë shoqërisë. Përdorimi i Islamit si judi mesjetar apo nazist është edhe një akt pabesie dhe paburrërie i njeriut që pasi dështoi të unifikojë rreth tij shumicën e demokratëve, po bën çmos që të fusë mes tyre farën më të helmët të përçarjes: armiqësinë me bazë fetare.
Me këtë fizionomi idesh, lëvizja Berisha është ravijëzuar si një import i ekstremit të djathtë të llojit të Frontit Nacional francez, por me disavantazhin që mundohet të ngulitet në një terren krejt të papërshtatshëm për një kallëp të tillë. Të kriminalizosh përkatësinë myslimane të kundërshtarëve apo kritikëve në një vend si Shqipëria është një strategji që është e destinuar të shndërrohet në pakicë, jo vetëm pse shumica e shqiptarëve i përkasin besimit islam, por edhe për arsyen se asnjë grup tjetër konfesional nuk e pranon idenë e tillë.
Megjithatë, pak rëndësi ka fati elektoral apo politik i lëvizjes Berisha. Ajo që është e domosdoshme dhe urgjente është përbuzja e kësaj frymë stigmatizuese, kriminalizuese apo fajësuese e grupeve shoqërore mbi bazën e identitetit të tyre fetar, kulturor apo etnik. Në përpjekjen e saj për t’u dukur si një parti e së djathtës ekstreme europiane, foltorja ka rënë në anti-myslimanizëm, që bashkë me anti-amerikanizmin në themel të saj, ajo po i përngjet gjithnjë e më shumë partisë ultranacionaliste të Vojsllav Sheshelit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular