Kreu i PD, Krujë, Sabah Sheta rendit problematikat e sezonit turistik: Ja çfarë i mungon Krujës historike dhe turistike. Bashkia dhe qeveria duhet të reagojnë
Qyteti i Krujës është një nga destinacionet e pakta turistike në Shqipëri ku numri i turistëve në këtë qytet historik rritet nga viti në vit, fal interesit për historinë dhe bukurinë që zoti ia ka falur. Vizitorët i kanë qëndruar besnik qytetit dhe për këtë duhet që çdo krutan t’u jetë mirënjohës, por miqtë e ardhur në shtëpinë tonë janë ndeshur me mjaft vështirësi qoftë infrastrukturore ashtu edhe mungesë informacioni të nevojshëm për të lëvizur. Kruja jonë e bukur pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.
Kur tashmë jemi në një stinë ku starton sezoni më i madh i ardhjes së turistëve, na duhet që të vëmë theksin mbi mangësitë me të cilat përballen vizitorët si një apel ndaj institucioneve qendrore dhe vendore që të rrisin vëmendjen ndaj qytetit të Krujës dhe të mos e lënë në harresë nevojat që nisin nga ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, tek sinjalistika, mbajtja pastër e qytetit, deri tek promovimi i kulturës dhe historisë së Krujës si dhe përçimin e informacionit të detajuar për çdo pëllëmbë të territorit të Bashkisë Krujë.
Si kryetar i degës së PD Krujë, në këtë apel timin do të rendisë disa nga problematikat më të cilat ndeshen turistët vendas dhe të huaj në Krujë e ndërkohë kërkoj nga Ministria e Kulturës si dhe Bashkia Krujë të marrin përgjegjësinë në këtë drejtim që të iu mundësohet çdo vizitori të kalojë sa më mirë në qytetin tonë të bukur plot histori.
Një arsye me shumë që institucionet duhet të kenë në qendër të vëmendjes Krujën është edhe shifra e numrit të vizitorëve në Muzeun e Krujës e konfirmuar nga Ministria e Kulturës prej 110 mijë veta në 2023, një vikamë e madhe për të ndryshuar qasjen e pushtetit me qytetin tonë.
Fjalët i merr era, por si një krutan që e dua shumë qytetin tim, e pastaj si opozitar, më duhet të rendisë me pika disa nga problematikat për të cilat nuk është vënë dorë dhe nevojitet një reagim urgjent për zgjidhje:
- Edhe pse një qytet me histori dhe bukuri Krujës i nevojitet sërish promovim jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë, gjë që mungon kjo edhe nga Bashkia dhe Ministria e Kulturës.
- Turistët ndeshen me mungesën e një stacioni autobusi me orare e patolerueshme kjo.
- Turistët nuk kanë një hartë turistike të qytetit, ndeshen me mungesën e udhërrëfyesve të pazarit të kalasë si dhe mungon një hartë e monumenteve të natyrës.
- Në Krujën turistike mungojnë tabelat orientuese për në shtigjet turistike apo zona historike si; Droja dhe kanionet, Kisha Laqetit dhe e Shënmërisë, ura Abdyl Agës dhe e gjithë Malësia, por më e pafalshme është që kjo situatë të ndodh brenda qytetit. Nevojitet vendosja e tabelave orientuese ne qytet per rruget qe te cojne ne “Qafshtame dhe ne Malin e Krujes” sepse shumica e turisteve si vendas dhe te huaj ngaterrohen. Ne fillim te rruges “Marin Barleti” duhet te nderrohet pozicioni sa me shpejt i tabeles orientuese per rrugen qe te con ne malin e Krujes!
- Krujës i mungon një zyrë e informacionit turistik dhe tashmë as faqja e Bashkisë nuk është funksionale edhe pse kur ishte nuk gjeje asgjë në të.
- Mungon dhe është e nevojshme të ketë një organizim të subjekteve turistike për të bashkërenduar për mbarëvajtjen e turizmin në qytetin tonë.
- Në kohë sezoni turistik në qytetin tonë nuk ka asnjë aktiviteti argëtues, kulturore-artistike si; panair festë, apo festival muzikor.
- Kruja është i vetmi qytet turistik pa taksi legale me tabelë dhe kjo është një problematikë jo e vogël për turistët.
- Rruga hyrëse e qytetit e prishur dhe nevojitet ndërhyrje infrastrukturore. Rrugët emergjente për të cilat ka nevojë Kruja të ndërtohen që të afrojne njesite dhe duhet të jenë prioritet i Bashkisë dhe qeverisë janë; Krujë-Brret-Thumanë, Kruje-Kurcaj-Nikël.
Partia Demokratike dega Krujë do të jetë në një dialog me qytetarët duke trokitur derë më derë për të qenë mbrojtëse e interesave të tyre përballë harresës dhe arrogancës së pushtetit vendor dhe qendror. E sigurt është që nëse Bashkia dhe qeveria nuk do të reagojnë ndaj këtyre problematikave, ndëshkimi i sigurt do të jetë në zgjedhjet e radhës të vitit 2025, për të mos thënë që përballë kësaj arrogance sikurse po ndodh dhe me rrugën Thumanë-Kashar, ku izolohen 85 mijë banorë dhe mijëra biznese, turistëve do iu duhet të shkojnë në Qafë-Kashar për tu kthyer për në Krujë, revolta mund të jetë edhe më e shpejt.
Të gjithë duhet të jemi Një për Krujën tonë.