BallinaSportVIDEO/ Shqipëria largon makthet, mban gjallë shpresat për Europian

VIDEO/ Shqipëria largon makthet, mban gjallë shpresat për Europian

Debutimi i ëndërruar dhe Shqipëria beson!

Edi Reja ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme në shtëpi, me fitore. Të besuarit e tij likujduan pastër 2-0 Moldavinë. Edhe pse në pamje të parë një takim i lehtë në letër, kuqezinjtë tanë vuajtën shumë për të gjetur golin ndaj një kundërshtari që kishte zbritur në “Elbasan Arena” vetëm për turizëm.

Me pjesën e parë që u mbyll me rrjeta të paprekura, pavarësisht rasteve sporadike nga të dy skuadrat, fraksioni i dytë ndryshoi totalisht fytyrën e tanëve. Aktivizimi i Cikalleshit dhe Roshi në vend të Sadikut e Lenjanit dha frytet e duhura. Ishte pikërisht kjo dyshe, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin tundën rrjetën kundërshtare. Inkursioni i shpejtë i fierakut dhe fati në anën e tij nxorën të lirë kavajasin, i cili nga fare pranë portës nuk fali.

Një episod që çliroi kuqezinjtë, që nisën të administronin lojën. Moldavia u mundua të reagojë, por më kot, pasi centrimetrat e Mavraj dhe eksperienca e Hysaj e Veselit bllokuan gjithçka. Kur u duk se gjithçka po mbyllej në një avantazh minimal të kuqezinjve, Ylber Ramadani realizoi një nga golat më të bukur në karrierën e tij.

23 vjeçari lëvizi mjaft mirë në zemër të mbrojtjes mike dhe në hyrje të zonës goditi bukur me të djathtën, për të dërguar në delir tifozët kuqezi. Topi në rrjetë dhe 3 pikëshi është i Shqipërisë. Një fitore që ngjall shpresat e kuqezinjve për një biletë Europiane në vitin 2020.

Fitoret e Francës dhe Islandës i japin shpresa të mëdha, pasi gjendet vetëm 3 pikë larg kësaj dysheje dhe Turqisë, që mban vendin e dytë me 9 pikë, aq sa “gjelat” dhe ishullorët. Takimi i ardhshëm është ndaj Francës, por deri atëherë, Reja ka nisur të njoh grupin, i cili duket se ka rilindur nën drejtimin e 73 vjeçarit.

Klikoni këtu për të parë FOTOGALERINË

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular